Shqipëri-Kosovë, Veseli bën thirrje për unitet

19/10/2016 00:00

Nëpëmjet një reagimi në rrjetin social “Facebook”, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka bërë thirrje për unitet mes shqiptarëve, e jo për polemika e ndarje të panevojshme, siç ndodhi pas vizitës së fundit të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, në Beograd.

Kryeparlamentari kosovar tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debate simbolesh.

“Raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raporte vëllazërore. Janë shembull sesi duhet të ndërtohen raportet mes shteteve dhe popujve në të gjithë rajonin tonë. Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë është një vlerë më shumë në rrugën rajonale të integrimit euroatlantik. Kosova nuk humbet asgjë nga ky zhvillim. Përkundrazi, përfiton edhe më shumë, për shkak se po ndërtohet një klimë e përgjithshme e komunikimit dhe dialogut rajonal. Është në interesin e Kosovës, që Shqipëria të flasë dhe të përçojë zërin e Kosovës kudo, ku ne nuk kemi arritur ende të kemi përfaqësim institucional. Sot, si kurrë më parë, me Shqipërinë duhet të kemi debat për marrëdhëniet ekonomike, e jo debat simbolesh. Është koha për ekonominë, jo për histori e romantizëm”, shkruan Veseli në profilin e tij.

Top Channel