Prezantohet “Sfida për Shqipërinë”: Ndryshe nga më të mëdhenjtë

19/10/2016 00:00

“Sfida për Shqipërinë” është zyrtarisht partia më e re në Shqipëri e që sfidën e saj të parë do ta ketë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndonëse e nisur nga një organizim qytetar, sot “Sfida”, ende pa strukturat e mirëfillta të një partie politike, ka marrë angazhimin e saj të parë. Kjo parti që fillesat e saj duket se i kishte te kandidimi i Gjergj Bojaxhi në bashkinë e Tiranës, sot u prezantua me një tjetër emër për kryetar.

“Angazhohemi për të punuar me ndershmëri dhe durim, pavarësisht partive të vjetra që do të hedhin baltë, pavarësisht atyre që mendojnë se jemi njësoj si të tjerët, pavarësisht se nuk kemi as fondet”, tha Blendi Salaj, themeltar i “Sfida për Shqipërinë”.

“Sfida për Shqipërinë” ka vetëm një objektiv të qartë: “Të prishë këta ekuilibra që i kanë rënduar vendit, janë disa ekuilibra politikë që në vend ta ndihmojnë Shqipërinë të ecë para, përkundrazi e pengojnë Shqipërinë në rrugën e saj dhe ne jemi këtu për ti prishur këto ekuilibra”, tha Salaj.

E ndërsa anëtarët e parë të saj theksojnë se më shumë se një parti e regjistruar pak ditë më parë në gjykatë si subjekt politik, ajo do të funksionojë si një organizim i qytetarëve, kryetari i saj Hektor Ruci thotë se modeli i organizimit të brendshëm do të jetë krejt ndryshe nga ai i partive të mëdha.

“Një nga risitë që kjo lëvizje, tashmë parti sjhell, është pikërisht ndarja e saj mes strukturës administrative dhe asaj politike. Kemi vuajtur gjatë gjithë këtyre vitevetë tranzicionit nga kryetar që e marrin partinë peng, e marrin në valixhe dhe largohen bashkë me të”, tha Hektor Ruci, kryetar i “Sfida për Shqipërinë”.

Top Channel