Integrimi i Serbisë, BE vendos kushte të tjera

19/10/2016 00:00

Serbisë i janë shtuar kushte të reja, sa i përket negociimit të “kapitullit 35” me Bashkimin Europian. Të paktën kështu thonë burime diplomatike nga Brukseli për median serbe “Politika”.

Sipas kësaj medieje, Brukseli ka vendosur kërkesa shtesë në formën e kritereve të përkohshme në një dokument 6-faqesh, në lidhje me heqjen e institucioneve paralele dhe lidhjen e tyre me fillimin e Asociacionit të Komunave serbe.

“Serbia do të duhet të dorëzojë çdo tre muaj raportin e pagesave të pensioneve për ish-anëtarët e policisë dhe gjyqtarëve paralelë, që tashmë janë nën institucionet e Kosovës, për të cilët nuk ka asnjë marrëveshje”, shkruan ndër të tjerash “Politika”.

Për Beogradin janë të diskutueshme veçanërisht dy pika, sipas medias në fjalë: fakti se kush do të vendosë për menaxhimin në Gazivodë dhe liria e lëvizjes.

“Beogradi, – siç na thuhet nga burime të afërta me ekipin negociator, – nuk ka pranuar të lejojë hyrjen e shtetasve të vendeve të treta nga Kosova në Serbi, sepse kjo do të thotë që Beogradi njeh Kosovën”, shkruan në fund “Politika”.

Top Channel