Ëndrra amerikane e Melanias. Nga Sevnica, kandidate për Zonjë e Parë e SHBA-ve

19/10/2016 00:00

Michelle Obama është në muajt e fundit të të qenit Zonjë e Parë e Shteteve të Bashkuara, por nëse Donald Trump fiton, Michelle do të duhet t’ia lërë vendin një bukurosheje sllovene. Ajo është pikërisht Melania Trump.

Drejtoresha e shkollës në Sevnica, qytetit të vogël ku Melania ka studiuar, thotë se ish-nxënësja e saj është tepër e zgjuar dhe se Donald Trump duhet ta dëgjojë atë më shumë. Melania Trump, e njohur në vendin e saj me mbiemrin Knavs, u rrit në Slloveni deri në vitet ’80.

Ata që e njohin që të vogël e përshkruajnë si një vajzë fjalëpakë, që shikonte punën e saj, por askujt nuk ia merrte mendja se një ditë ajo do të kishte gjasa të bëhej edhe Zonjë e Parë e shtetit më të fuqishëm të botës.

“Melania nuk konsumonte alkool dhe as cigare, në një moshë kur mund të ndikohej shumë mirë nga shoqëria”, thonë të njohurit e saj. Ata e përshkruajnë si një vajzë serioze me fokus të qartë. Ajo që dikur ishte vajza e një familjeje me të ardhura modeste, ku e ëma ishte punonjëse tekstili, ndërsa i ati shitës, vendosi t’i futej karrierës së modelingut, e favorizuar nga hijeshia dhe linjat e saj trupore.

Bota e modës ishte një trampolinë që e çoi atë në Nju Jork. Shoku i saj i klasës, njëkohësisht edhe fqinji i saj, tregon se Melania që e vogël ka qenë tepër e sofistikuar, ndryshe nga Trump, i cili që në moshë të re ka shfaqur natyrë problematike.

Në fakt, ëndrra e Melanias ka qenë të bëhej stiliste, por për një vend si Sllovenia, ajo e shihte karrierë pa të ardhme. Familja e saj jeton ende në Sevnicë, por shumicën e kohës e kalojnë në Nju Jork që pas lindjes së nipit të tyre Barron, djalit të vetëm që Melania ka me Donald Trump.

Por edhe qyteti i saj i lindjes do të përfitojë shumë, nëse Trump bëhet president. Sevnica mund të kthehet në një atraksion turistik, i cili mund t’u sjellë fitime bizneseve të vogla, nga pronarët e restoranteve e deri te prodhuesit e verës. Ndaj të gjithë atje bëjnë tifo për miliarderin njujorkez.

Top Channel