Arabi Saudite, ekzekutohet princi i akuzuar për vrasje

19/10/2016 00:00

Një masë e pazakontë është ndërmarrë nga Arabia Saudite, ku me vendimin e Ministrisë së Brendshme është ekzekutuar princi Turki Bin Saud bin Al Kabeer.

Ky i fundit akuzohej për vrasje pas një konflikti në grup. Personi që vrau ishte një shtetas saudit. Nuk vonoi shumë dhe qeveria vendosi ta ekzekutojë princin, pavarësisht titullit të lartë.

Deklarata e Ministrisë së Brendshme nuk flet për mënyrën e ekzekutimit të Al Kabeer, por të tjera dënime me vdekje kanë përfunduar me prerje koke. Verdikti që shpallin princin fajtor u mbështet nga Gjykata e Apelit dhe më vonë u sanksionua nga Gjykata e Lartë e Arabisë Saudite.

Por është tepër e pazakontë, që një anëtar i familjes mbretërore të dënohet me vdekje në Arabinë Saudite. Në vitin 1975, princit Faisal bin Musaid iu pre koka për vrasjen e mbretit Faisal.

Me kalimin e viteve vihet re forcimi i pozitave të drejtësisë. Mesa duket ligji është njësoj për të gjithë.

“Qeveria është e prirur për të ruajtur rendin, sigurinë dhe për të sjellë përpara drejtësisë këdo që shkel shenjtërinë e civilëve”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Brendshme. Arabia Saudite ka ligje të rrepta për vrasësit, grabitësit, përdhunuesit dhe trafikantët e drogës, e këto vepra penale janë të gjitha të dënueshme me vdekje.

“Amnesty International” thotë se mbretëria arabe kryer të paktën 158 dënime me vdekje në vitin 2015, duke u renditur kështu pas Iranit dhe Pakistanit.

Top Channel