ASHE-ja çel fushatën elektorale në Kolonjë

19/10/2016 12:45

Koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane (AShE) ka prezantuar sot kandidatin për kryetar të Bashkisë së Kolonjës, Dr. Ilia Stefo. Kryeministri Edi Rama se aleanca qeverisëse ka zgjedhur njeriun e duhur pas shumë konsultimesh.

“Kemi zgjedhur njeriun e duhur për të vazhduar punën që la përgjysmë Arben Malo. Ne sot vijmë dhe kërkojmë me kokën lart mbështetjen tuaj, pasi jemi të bindur se, pavarësisht problemeve të mëdha që kërkojnë zgjidhje, ky komunitet e ka shumë të qartë se në këto 3 vite, qeveria jonë i ka hapur rrugë një procesi historik transformimi të vendit, duke bërë reforma që të tjerë para nesh as nuk i mendonin. Reformat duan kohën e tyre, janë operacione të dhimbshme, por të domosdoshme për t’i dhënë të rinjve një Shqipëri tjetër, ndryshe nga ajo që trashëguam për shkak të mungesës së reformave dhe të keqqeverisjes”, u shpreh kreu i qeverisë.

“Kolonjarët nuk duhet të ndahen majtas e djathtas, megjithëse këtu, edhe djathtas, të majtë gjen. Vota duhet të jetë shprehje e respektit për një punë të nisur dhe e bindjes se vetëm duke kaluar stafeta brenda kësaj familjeje politike, puna e nisur mund të vazhdojë e mund të përfundojë. Projekti ynë nuk vazhdon dot duke ndërruar dorë”, shtoi Rama.

Ndërsa kandidati Ilia Stefo theksoi se “rizgjimi i vlerave dhe ekonomisë së kësaj zone të mrekullueshme” është objektivi i tij.

“Kam shërbyer si mjek për 30 vjet dhe tani jam në garë për Bashkinë e Kolonjës. Këto dy detyra kanë të përbashkët shërbimin dhe përkushtimin ndaj njerëzve. Kam ndjerë mbështetje të madhe për këtë kandidaturë dhe ky është motivimi më i madh për mua. Rizgjimi i vlerave dhe ekonomisë së kësaj zone të mrekullueshme është objektivi im. Me mbështetjen e kryeministrit Rama do të realizojmë projektet për Kolonjën”, tha Stefo.

Top Channel