Zia në Tajlandë, sfidë me vete kodi i ri i veshjes

19/10/2016 00:00

Tajlandezët vazhdojnë të mbajnë zi për mbretin Bhumibol Adulyadej, i cili u nda nga jeta javën e kaluar në moshën 88-vjeçare. Për 30 ditë, ata e kanë të ndaluar të marrin pjesë në aktivitete festive dhe duhet të mbajnë veshje ngjyrë të zezë, gri ose të bardhë, si pjesë e një periudhe më të gjatë zie, prej plot një viti.

Ndjekësit e modës duhet se po e konsiderojnë si një sfidë, kodin e ri të veshjes, dhe po testojnë imagjinatën e tyre. Tani në punë shkohet edhe me veshje mbrëmjesh.

“Mund të luaj me kombinimin e ngjyrave, të tilla si e bardha dhe grija”, tha një qytetare.

Stilistët vendas po rishikojnë koleksionet për të reflektuar zinë. Kjo kthesë e papritur sa u përket ngjyrave, i ka kushtuar shtrenjtë dyqanit “online” “Happy Go Lucky”, që nxjerr veshje të reja çdo javë. Stilistët e rrobaqepësit e kompanisë po nxitojnë të propozojnë veshje të përshtatshme për periudhën e zisë.

“Duhet t’i përshtatemi situtatës. Klientët tanë janë kryesisht gra që punojnë dhe ato duhet patjetër të vishen me të zeza. Kemi prezantuar një koleksion të ri me ngjyrat e zisë, të bardhën, të zezën dhe grinë”, tha një stiliste.

Në të gjitha dyqanet e veshjeve, pronarët po fshehin produktet me ngjyra të ndezura e po reklamojnë ato që i përshtaten situatës. Për tajlandezët që nuk kanë parà për të ndërruar garderobën, qeveria dhe vullnetarët po ofrohen t’ua lyejnë rrobat pa parà.

Njerëzit mund të çojnë bluzat dhe pantallonat e vjetra në tenda të ngritura pranë Pallatit të Madh, ku po mbahet trupi i mbretit, dhe në vende të tjera rreth Bangkokut, ku bëhet lyerja e tyre me ngjyrë të zezë. Mijëra vetë kanë përfituar nga ky shërbim deri më tani.

Top Channel