Veliaj në fshatin Sos: Rregullimi i rrugëve i shton vlerën pronës

19/10/2016 00:00

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka inspektuar nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës “Hermann Gmeiner”, në fshatin Sos. Sipas tij, në këtë zonë shtëpitë janë në proces legalizimi, dhe se shtrimi i rrugëve do i shtojë më shumë vlerën pronës.

“Kjo është një lagje e re me qytetarë që kanë ardhur pas viteve ‘90, që kanë ndjekur procesin e legalizimit gjatë këtyre viteve, sot u shtohet vlera e pronës. Por, veç kësaj, në këtë rrugë kalojnë qytetarë që dikur ndiheshin sikur jetonin në fshat dhe nga sot do të kenë një hapësirë shumë më dinjitoze”, u shpreh Veliaj.

Ai shtoi se ky investim është një tjetër dëshmi se për Bashkinë e Tiranës nuk ka dallim në trajtimin e qytetarëve, pavarësisht nëse jetojnë në qendër apo në zona më të largëta.

“Dua t’u kujtoj që njësia 2 ka një popullsi të madhe, është thuajse sa një qytet më vete. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme që ne të mbajmë një vëmendje jo vetëm në qendër të Tiranës, ku po bëhet sheshi “Skënderbej” apo Bulevardi i Ri, por edhe në periferi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se edhe në këtë rast ka qenë shumë e rëndësishme bashkëpunimi i qytetarëve dhe gatishmëria e tyre për të paguar taksat dhe tarifat përkatëse, të cilat kanë mundësuar më shumë të ardhura për bashkinë dhe më shumë investime.

Top Channel