San Francisco, 4 gjimnazistë të plagosur në parkingun e shkollave

19/10/2016 00:00

Katër gjimnazistë janë qëlluar me armë zjarri në parkingun e përbashkët të dy shkollave të mesme në San Francisco, ndërsa autoritetet bëjnë të ditur se njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Të shtënat kanë ndodhur në momentin kur gjimnazistët po largoheshin nga shkollat “June Jordan School for Equity and City Arts” dhe “Technology High School”,  të cilat ndajnë të njëjtin kampus studimi, njoftoi oficeri i policisë së San Franciscos, Carlos Mandfredi.

Tre prej të plagosurve arritën të ktheheshin menjëherë në shkollat e tyre, ndërsa policia urdhëroi menjëherë gjimnazistët e tjerë të qëndronin brenda derisa oficerët të kontrollonin klasat dhe të përcaktonin se situata e të shtënave të merrte fund.

I plagosuri i katërt është dërguar rajonin e policisë “Bayview”. “Njëra prej viktimave, e seksit femër, ka marrë plagë që i rrezikojnë jetën në pjesën e sipërme të trupit”, tha Manfredi, i cili shtoi se 4 të dyshuar me veshje të errëta dhe pantallona “jeans” janë parë t’ia mbathin nga vendngjarja.

Agresorët, të cilët nuk janë gjimnazistë të këtyre shkollave, dyshohet se kanë pasur për objektiv të plagosurën femër. “Ky është një incident i izoluar jashtë ndërtesës së një shkolle, ku një prej gjimnazistëve është vënë në shënjestrën e personave të jashtëm”, bëri të ditur Drejtoria Rajonale Arsimore e San Franciscos.

Mësimi në “June Jordan School” do të rifillojë të mërkurën me masa shtesë sigurie, ndërsa do të ketë edhe psikologë për gjimnazistët.

Top Channel