Irak, civilët përdoren si mburoja në betejën për çlirimin e Mosulit

19/10/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara akuzojnë militantët e Shtetit Islamik se po përdorin civilët si mburoja njerëzore, ndërsa forcat irakiane po i afrohen gjithmonë e më shumë bastionit të tyre në Mosul.

700 mijë banorë besohet se gjenden në qytetin, ku rreth 5.000 xhihadistë po përballen me ditën e tretë të operacionit për çlirimin e tij. Deri më tani, ofensiva është cilësuar si e suksesshme, me trupat irakiane dhe kurde që po avancojnë nga jugu dhe lindja, teksa gjenden 30 ose 40 km larg qytetit.

Edhe pse lajmi për çlirimin e qytezës së afërt të Qaraqoshit u përgënjeshtrua nga një komandant i forcave qeveritare, koalicioni i drejtuar nga Amerika, që po zhvillon sulme nga ajri, njoftoi se kishte larguar militantët e ISIS nga 10 fshatra. Gjithsesi, Qaraqosh, që deri para luftës ka qenë një prej qytezave më të mëdha me popullsi të krishterë, është nën rrethim dhe snajperët po mbështesin avancimin.

“Ne çliruam fshatrat përpara nesh dhe një prej njësive tona ka rrethuar Hamdaniehun. Situata është optimiste dhe morali i trupave tani është i lartë”, tha një ushtar.

Presidenti amerikan Barack Obama ka ngritur shqetësimet për një eksod të mundshëm të civilëve në zonë, duke thënë se po përgatisnin planet dhe infrastrukturën për të menaxhuar një krizë të mundshme humanitare.

Agjencia e OKB-së për refugjatët njoftoi se, rreth 900 persona ishin larguar nga Mosuli, duke kaluar kufirin për në Siri. Ky është grupi i parë i civilëve që arratisen prej nisjes së ofensivës të hënën.

Më herët, zëdhënësi i Pentagonit Jeff Davis paralajmëroi se qytetarët po mbahen kundër vullnetit të tyre. Banorë të kontaktuar me telefon nga agjencia e lajmeve “Reuters” thonë se Shteti Islamik po i pengonte qytetarët të largoheshin, madje kishin orientuar disa prej tyre drejt godinave që me shumë gjasa do të shënjestrohen nga sulmet ajrore.

Siç mësohet, luftëtarët e ISIS-it po bëjnë rezistencë të fortë në disa zona dhe grupi ka publikuar video, që sipas tij tregojnë militantët teksa hapin zjarr ndaj automjeteve të blinduara të koalicionit, që përbëhet nga 34 mijë pjesëtarë të sigurisë së Irakut, luftëtarë kurdë, paraushtarakë shiitë e luftëtarë fisnorë sunitë.

Bashkimi Europian paralajmëroi për rrezikun e mbërritjes në Europë, të shumë prej xhihadistëve që do të largohen nga Mosuli.

Top Channel