Presidenti Bujar Nishani uron Ditën Kombëtare të Nënë Terezës

19/10/2016 09:00

Me anë të një mesazhi, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u uron të gjithë bashkëkombasve kudo ku jetojnë, punojnë e studiojnë Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, tashmë të shpallur nga Kisha Katolike e të njohur botërisht si “Shën Tereza e Kalkutës”.

“Dita e sotme për ne shënon një kremtim sa të rrallë, aq edhe të papërsëritshëm: Ditën Kombëtare të Nënë Terezës, e cila plot trembëdhjetë vjet më parë, në saje të kontributeve dhe veprave të saj mrekullibërëse të bamirësisë ndaj të varfërve, të sëmurve dhe njerëzve në nevojë në mbarë rruzullin, u lumturua dhe u quajt ‘Tereza e Bekuar e Kalkutës’ nga Papa Gjon Pali II”, lexohet në mesazhin e Presidentit.
 
“Më lejoni që në këto çaste të një gëzimi mbarëkombëtar, sepse jemi me plot të drejtë kombi i Nënës Terezës, që ka kapërcyer e lënë pas përgjithmonë absurdin e dikurshëm të të qenit i vetmi vend ateist i shpallur nga diktatura komuniste, t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta duke ju ftuar të njiheni më nga afër, të mësoni dhe t’i pasuroni edhe më tej përkujdesjet e vogla e të përditshme të kryera me përkushtim dhe ndjenjë të madhe dashurie nga shtatvogla, por vepërmadhja Gonxhe Bojaxhi! E bekuara dhe e shenjta datë e sotme si shembulli më domethënës i dashurisë pa kurrfarë kushti njerëzor e i respektit ndaj tjetrit që është ndryshe e në nevojë, simbolizon më së miri bashkëjetesën dhe harmoninë e pashembullt fetare që kombi shqiptar ka ushqyer, praktikuar dhe përsosur ndër shekuj. Kjo Ditë e shënuar Lumturimi, por edhe festimi e përkujtimi i përbashkët që i bëjnë shqiptarët kudo ku ndodhen, pavarësisht se cilës fe mund t’i përkasim, sidomos tani pas shenjtërimit të Nënë Terezës më 4 shtator 2016 nga Papa Françesku, si dhe shpalljes Kardinal të Hirësisë së Tij Ernest Troshanit disa ditë më parë, na frymëzon të përulemi me respekt e përdëllim jo vetëm ndaj jetës e veprës së paharruar të Shenjtores sonë, por gjithashtu na mbush me ndjenjën legjitime të krenarisë më sublime mbarëkombëtare”, theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit.

Top Channel