Real e Dortmund s’falin, fitojnë edhe Porto e Leicester

18/10/2016 00:00

Reali i Madridit nuk toleroi aspak pasi në “Santiago Bernabeu” kaloi me rezultatin e thellë 5-1 Legian e Varshavës.

Për Los Blancos hapi serinë e golave, Gareth Bale. Autgoli i Jodlowiec dyfishoi shifrat, ndërkohë që Radovic nga pika e bardhë shkurtoi përkohësisht avantazhin e vendasve. Por tre talentet e klubit merengues Marcos Asensio, Lucas Vazquez dhe Alvaro Morata hipotekuan suksesin 5-1 të Realit.

Kishte festë edhe për Borussian e Dortmundit që fitoi një sfidë të vështirë në letër pasi mundi në Jose Alvalade të Lisbonës 1-2 Sportingun. Aubameyang dhe Weigl i dhanë avantazhin e dyfishtë verdhezinjëve, përpara se Bruno Cesar të realizonte golin e vetëm për skuadrën portugeze. Me këtë fitore Dortmund shkon në kuotën e 7 pikëve në grupin F, po aq sa edhe Real Madrid.

Kryeson me pikë të plota Grupin G, Leicester City që me një gol të Mahrez mposhti 1-0 Fc Copenhagenin duke hipotekuar kualifikimin. Fitoi me përmbysje Porto që në sfidën tjetër kaloi me shifrat 1-2 belgët e Club Brugge. Vossen shënoi në pjesën e parë për vendasit ndërkohë që meksikani Miguel Layun dhe sulmuesi i talentuar Andre Silva me finalizimet e tyre në pjesën e dytë i dhanë fitoren e parë në grup Portos.

Top Channel