Festivali i Orkestrës së Harqeve

18/10/2016 00:00

Pas shumë vitesh rikthehet Festivali i Orkestrës së Harqeve. Qendra e Artit në Elbasan, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Elbasanit, do të sjellin këtë fundjavë në Teatrin Skampa takimin kombëtar të Orkestrës së Harqeve.

Aktiviteti për herë të parë zhvillohet në qytetin e Elbasanit dhe do të mbledhë bashkë orkestrat e harqeve nga e gjithë Shqipëria.
 
Klinton Kapaj, drejtor organizativ i Festivalit, shprehet: “Ne jemi munduar që nëpërmjet këtij aktiviteti të nxjerrim në pah disa vlera artistike që edhe në rang kombëtar janë disi të harruara”.
 
Drejtori Artistik i Festivalit, duke zbuluar disa detaje të tij, shpjegon vendin e veçantë që zë krijimtaria shqiptare në këtë festival.

“Muzika e dhomës ka të bëjë edhe me formacionet e vogla. Me ndryshimin e sistemit, veprat e autorëve shqiptarë nuk luheshin më dhe ne i dhamë mundësi që në këtë aktivitet të shpalosen sërish”, tha Blerim Narazani, drejtor artistik i festivalit.
 
Organizatorët shpresojnë që një aktivitet të tillë ta kthejnë në një traditë për qytetin e Elbasanit.

Top Channel