Negociatat, Gjosha: Presim rekomandimin pas miratimit të “Drejtësisë”

18/10/2016 00:00

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha tregohet shumë e rezervuar për të pohuar se Shqipëria do të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në nëntor. Deri tani, ajo nuk ka parë një dokument të shkruar me këtë rekomandim, por pritshmëritë janë të mëdha, sepse Shqipëria beson që Komisioni do ta mbajë premtimin.

“Është premtuar nga Komisioni Europian se, nëse do të miratohej Reforma në Drejtësi dhe ligjet që bënin të mundur implementimin e saj, atëherë do të jepet rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave. Nga ana ime është kërkuar në Bruksel që të mbahet fjala kundrejt qytetarëve shqiptarë. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme për qëndrueshmërinë e procesit dhe për besimin që kanë qytetarët në procesin e integrimit të vendit”, shprehet ministrja e Integrimit Gjosha.

Por, edhe nëse Shqipëria e merr rekomandimin për hapjen e negociatave më 9 nëntor, ai nuk do të jetë pa kushte.

“Patjetër që rekomandimi, nëse do të vijë, do të duhet që pas tij të kërkohet edhe implementimi i Reformës në Drejtësi. Normale është që Komisioni Europian të rendisë të gjitha ato çështje problematike të mbetura ende për vendin dhe të na bëjë neve më të matur e më të përgjegjshëm për të vazhduar me implementimin e këtyre kërkesave”, shtoi më tëj Klajda Gjosha.

Vendosja e kushteve, të cilat ende nuk janë përcaktuar, ia vështirëson Shqipërisë pozitën përpara vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat do të mblidhen në dhjetor për të shqyrtuar rekomandimin e Komisionit Europian.

“Pozicioni i tyre në këto momente dhe procesi i zgjerimit ka ardhur gjithmonë e duke u zbehur në sytë e vendeve anëtare. Kjo edhe mund të ndikojë për shtyrjen e procesit, por ne nuk mund të themi sot nëse kjo do të ndodhë apo jo”, deklaroi ministrja Gjosha.

Derisa vendet anëtare të mblidhen në dhjetor, Komisioni Europian duhet të përmbushë edhe vet një detyrim ende të pazbatuar për Reformën në Drejtësi. Sipas Kushtetutës së re, i takon Komisionit Europian të ngrejë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, pa të cilin Reforma në Drejtësi nuk mund të nisë zbatimin.

“Po, keni shumë të drejtë. Ka pasur një shtyrje, por jam e bindur se Komisioni Europian po merr të gjitha masat për ta ngritur këtë mision monitorues, për t’u vendosur përfundimisht në Shqipëri në mënyrë që të fillojë procesi i ‘Vetting’-ut”, përfundoi intervistën Klajda Gjosha.

Top Channel