Obama: Dyshimet për manipulim zgjedhjesh dhe lajkat ndaj Putinit, të paprecedenta

18/10/2016 00:00

Edhe pse dilte për një konferencë shtypi nga Shtëpia e Bardhë në krah të kryeministrit italian, Matteo Renzi, presidenti amerikan Barack Obama nuk ka lënë jashtë vëmendjes fushatën zgjedhore presidenciale në SHBA, duke kritikuar sërish kandidatin republikan Donald Trump.

Obama i është drejtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë manjatit të pasurive të paluajtshme, duke i thënë të “ndalë ankesat” e pabazuara, pas pretendimeve të tij se zgjedhjet e muajit të ardhshëm do të manipulohen.

Përpjekja e Trumpit për të diskredituar zgjedhjet përpara se të zhvillohen ato është “e paprecedentë” për një kandidat për Shtëpinë e Bardhë. Të paprecedentë, presidenti Obama ka quajtur edhe “lajkat” e kandidatit republikan për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Trump është përballur javët e fundit me rënie drastike nëpër sondazhe, për shkak të akuzave me sfond seksual pas komenteve vulgare të bëra ndaj grave, të denoncuara përmes një videoje fillimisht, e më pas përmes deklaratave publike të disa grave.

Biznesmeni i kthyer në politikan ka pretenduar në mënyrë të vazhduar se zgjedhjet e 8 nëntorit do të manipulohen në favor të kandidates demokrate Hillary Clinton, edhe pse krahu i djathtë i tij, kandidati për zv.president Mike Pence e ka mohuar diçka të tillë dhe ka garantuar se do të njohin verdiktin e popullit amerikan, cilido qoftë ai.

Nga “Kopshti i Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë, ku ndodhej për konferencën me Renzin gjatë kësaj të marte, Obama theksoi se pretendimet e Trumpit janë të pabazuara në fakte.

“E këshilloj Trumpin t’u japë fund ankesave dhe të përpiqet të shpalosë gjithçka mundet për të siguruar votat e amerikanëve”, u shpreh Obama. “E meqë ra fjala, ai nuk po tregon lidershipin dhe rezistencën që populli amerikan kërkon nga një president, nëse nis të thurë lajka përpara fundit të garës presidenciale”.

Në fund kreu i Shtëpisë së Bardhë ka dhënë edhe një rekomandim për të. “Nëse kurdoherë gjërat do të shkojnë keq për ty dhe ti do të humbasësh në këto zgjedhje, nëse ti do të nisësh të fajësosh dikë tjetër për këtë, atëherë ti nuk zotëron atë që duhet për të kryer këtë detyrë”.

Obama u përpoq të adresonte edhe fjalimet admiruese të kandidatit republikan ndaj Vladimir Putinit. “Lajkat e vazhdueshme të Trumpit për Putinin dhe shkalla mbi të cilën ai po bazon modelin e politikave të tij janë të paprecedenta”, deklaroi presidenti amerikan. Ky reagim i tij ka ardhur një ditë pasi Trumpi deklaroi se do të merrte në konsideratë një vizitë në Rusi përpara se të marrë detyrën e presidentit, gjithnjë nëse zgjidhet.

Top Channel