Ligj për certifikimin e prodhimeve BIO

18/10/2016 00:00

Tregu i prodhimeve biologjike në Shqipëri është kaotik dhe ligji i ri i synon jo vetëm përshtatjen me rregullat e Bashkimit Europian, por edhe përcaktim të qartë se kush produkt mund të quhet bio.

Certifikimi do të bëhet përmes kompanive private të licencuara nga Ministria e Bujqësisë. Për çdo prodhim që do të vendoset vula bio ndiqet një proces monitorimi që zgjat tre vjet. Procesi fillon me analizën e tokës, ndikimin e mjedisit, monitorimin e plehrave, përdorimin e armiqve natyrore të sëmundjeve dhe përfundon me analizën e mbetjeve kimike në produktin final.

“Kjo trupë që vendos vulën që ky produkt është bio, përveç periudhës 3-vjeçare, kjo ka edhe kapacitete. Do të ketë inspektorë në terren dhe pajisje e infrastrukturë laboratorike që garantojnë që prodhimi 3-vjeçar i kompanisë që merret me prodhimin e një produkti, në krye të 3 viteve dhe në bazë të analizave që i bën certifikuesi meriton që të marrë vulën dhe të nxjerrë në treg prodhimin me vulën e prodhimit biologjik. Ka edhe një kontroll të fundit që është Autoriteti Kombëta ri Ushqimit”, thotë Flamur Hysi, drejtor i Prodhimit Bujqësor në Ministrinë e Bujqësisë.

Për produktet bio ndalohet përdorimi i çdo OMGJ-je (Organizma të Modifikuar Gjenetikisht), si ushqim për kafshë, lëndë ndihmëse në përpunim, insekticide. OMGJ-të janë të ndaluara edhe në plehërat bujqësorë, përmirësuesit të tokës, farërat dhe shumëzues bimorë.

Top Channel