Flamurtari pa rroga. Jep dorëheqjen edhe trajneri Magani

18/10/2016 00:00

Flamurtarit vetëm emri i ka mbetur dhe historia në këtë periudhë të vështirë rezultatesh dhe vorbulle të një krize e cila pranohet edhe nga drejtuesit e skuadrës vlonjate, një krizë që nuk lidhet thjesht me vendin e parafundit në renditje, pro edhe me pagesat e munguara prej muajit korrik.

Sinan Idrizi, administrator i Flamurtarit, shprehet: “Do të ketë zgjidhje sepse ne kemi marrë një përgjegjësi dhe e pranojmë deri në fund përgjegjësinë tonë financiare. Kur ka krizë, kriza është e të gjithëve. Kemi humbje imazhi dhe sportiviteti, por besojmë se shumë shpejt do të kalojë”.

Ndërkohë që nuk ka ndërmend të dorëzohet, Idrizi hap edhe sfidë ndaj kujtdo që mendon se mund të bëjë diçka më mirë se ai në drejtimin e Flamurtarit: “Nëse ka të tjerë që e bëjnë më mirë nga mua, patjetër. Flamurtari nuk është imi”.

Mesditën e së martës ka patur një tjetër takim mes trajnerit Magani dhe administratorit Idrizi, i cili nuk e ka pranuar dorëheqjen e trajnerit, madje i është premtuar zgjidhja e shpejtë e problemeve aktuale.

Gjithsesi, situata mbetet pezull deri në një vendim të dytë nga Magani, përsa i përket pankinës së vlonjatëve.

Top Channel