Kosovë, deputetët e Kuvendit do të kërkojnë liberalizimin e vizave

18/10/2016 00:00

Grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës do të dalin me një deklaratë të përbashkët rreth procesit të liberalizimit të vizave, në veçanti për kriterin e Demarkacionit, për t’i garantuar të gjitha vendet e Bashkimit Europian se, Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi.

Megjithatë, ata do të bëjnë të ditur gjithashtu se ka dallime midis forcave politike, rreth mënyrës së demarkacionit.

Qëndrimi është zyrtarizuar këtë të martë pas një takimi që kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka pasur me anëtarët e Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme.

Veseli ka thënë se, pas hartimit dhe nënshkrimit të kësaj deklarate do të fillojnë menjëherë një seri vizitash në vendet e BE-së, për t’i siguruar të gjitha shtetet se Kosova i ka plotësuar kriteret që i janë vënë në këtë proces, dhe se qytetarët e Kosovës meritojnë të lëvizin sa më shpejt lirshëm në zonën e “Schengen”-it.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit parlamentar të Punëve të Jashtme, Elmi Reçica tha se tashmë të gjithë janë të shqetësuar për mosliberalizimin e vizave.

“Jemi në një proces, ku ne duhet të dëshmojnë që kemi një unitet të brendshëm. Sa i përket çështjes së integrimit të vendit jemi të përkushtuar të gjithë, si pozita, ashtu dhe opozita”, ka thënë ndër të tjera Reçica.

Përfaqësuesit e opozitës, Pal Lekaj nga AAK-ja dhe Zafir Berisha nga Nisma, shprehën edhe njëherë qëndrimet e tyre lidhur me versionin aktual të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, mirëpo theksuan përkushtimin për të qenë pjesë e deklaratës së përbashkët dhe e angazhimit në diplomacinë parlamentare, në funksion të lobimit për proceset me interes për Kosovën.

Në takim munguan anëtarët e Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe.

Top Channel