Sulmet në Paris, vëllai i bën thirrje Salah Abdeslamit të dëshmojë

18/10/2016 00:00

Vëllai i të dyshuarit kryesor të mbijetuar të sulmeve terroriste të nëntorit të kaluar në Paris, i ka bërë thirrje Salah Abdeslamit të flasë për autoritetet hetimore. Javën e kaluar, dy prej avokatëve të tij mbrojtës njoftuan se nuk do ta përfaqësonin atë në gjyq, pasi ai vijonte të heshtte, duke refuzuar bashkëpunimin me hetuesit.

“I kërkoj tim vëllai të flasë”, tha Mohamed Abdeslam për francezen “RTL Radio”. Ai shtoi se dëshironte të dinte “ekzaktësisht çfarë ndodhi përpara dhe pas” atyre sulmeve, prej të cilave mbetën të vdekur 130 persona.

Përgjgjësinë e sulmeve të koordinuara ndaj një bari, një restoranti, sallës së koncerteve “Bataclan”, si dhe stadiumit “Stade de France” e mori i ashtuquajturi Shtet Islamik. Salah Abdeslam, i cili është edhe i mbijetuari i vetëm i grupit që kreu sulmet, u arrestua në Bruksel në mars të këtij viti, ndërkohë që ka qëndruar i heshtur që prej transferimit të tij në Francë një muaj më pas.

Mohamed Abdeslam tha se vëllai i tij ishte tërhequr nga vetëvrasja, por tashmë i është krijuar përshtypja se ai është edhe më i radikalizuar se më parë.

“Gjatë vizitës sime në Belgjikë pashë realisht një vëlla, i cili dukej i gatshëm të fliste. Pak muaj më vonë, duket se nuk po e njoh më atë. Më duket sikur po takoj një tjetër person. Mund të konfirmoj se Salah është më i mbyllur në vetvete tashmë”, shprehet Mohamed Abdeslam.

“Burgosja e tij, kushtet ekstremisht të vështira në qeli, mbyllja në vetvete janë faktorë që më bëjnë të besoj se, tashmë ai është radikalizuar edhe më shumë se më parë. Faktikisht ai duhej të ishte deradikalizuar”, tha Mohamed, i cili e viziton vëllanë në qeli çdo 3 muaj.

Ai tha se, është i ndërgjegjshëm që heshtja e Salahut është veçanërisht e rëndë për familjarët e viktimave, ndaj dhe konsideron se do të ishte “një zhgënjim për të gjithë ne”, nëse ai do të refuzojë të dëshmojë në gjyqin ndaj tij.

Refuzimi i bashkëpunimit nga ana e Salah thuhet se vjen për shkak të irritimit të tij me kushtet në të cilat mbahet në qeli, e veçanërisht prej monitorimit 24 orë në 24 me kamera, siç kanë bërë të ditur ish-avokatët e tij mbrojtës. Ai besohet se ka luajtur rolin kyç në planifikimin e sulmeve të Parisit, madje duke i transportuar agresorët e tjerë, megjithatë roli specifik ende nuk është përcaktuar nga prokurorët. Vëllai tjetër i Salahut, Brahim Abdeslam ishte mes kamikazëve që hodhën veten në erë.

Top Channel