Çlirimi i Mosulit, Komisioneri i Sigurisë: BE të përgatitet për xhihadistët

18/10/2016 00:00

Bashkimi Europian duhet të përgatitet për kthimin e xhihadistëve, nëse Shteti Islamik dëbohet nga qyteti irakian i Mosulit, fortesa e tyre kryesore në Irak. Paralajmërimi vjen nga Komisioneri i BE-së për Sigurinë, Julian King, i cili duket se nuk është aq entuziast për çlirimin e Mosulit.

King deklaroi për gazetën gjermane “Die Welt” se, edhe një numër i vogël xhihadistësh do të paraqiste një rrezik serioz për sigurinë, prandaj blloku duhet të parapërgatitet.

Forcat irakiane nisën të hënën atë që pritet të jetë ofensiva më e gjatë kundër xhihadistëve, 5.000 prej të cilëve besohet të gjenden brenda qytetit të rrethuar nga trupat qeveritare, të cilët në jug janë rreth 40 km larg qytetit, ndërsa luftëtarët kurdë gjenden 30 km në lindje të tij. Agjencitë e ndihmave, ndërkohë, duket se po përgatiten për atë që thuhet se do të jetë kriza më e rëndë humanitare e krijuar nga dora e njeriut gjatë kohëve të fundit.

Julian King, një diplomat britanik që së fundmi është emëruar si Komisioner Sigurie i BE-së, tha se kërcënimi i kthimit të luftëtarëve të Shtetit Islamik në Europë pas rënies së Mosulit është shumë serioz. Sipas tij, në zonat e luftës përreth Mosulit të jenë afërsisht 2.500 luftëtarë nga vendet e Bashkimit Europian.

Gjithsesi, ai theksoi se nuk pritet një eksod masiv xhihadistësh drejt Europës, pasi rastet e ngjashme në të kaluarën kanë treguar se vetëm një numër i vogël prej tyre janë kthyer. Megjithatë, duke konsideruar numrin e madh të atyre që gjenden në Mosul, BE-ja nuk mund të rrijë duarkryq.

“Nuk dua të nënvlerësoj rrezikun, pasi edhe një numër i vogël xhihadistësh që mund të kthehen në Europë përbën një kërcënim serioz”, deklaroi King për “Die Welt”. Të hëhën, forcat irakiane dhe aleatët e tyre nisën ofensivën për të rimarrë kontrollin e Mosulit, qytetit të dytë më të madh në Irak, i cili prej qershorit të vitit 2014 është në duart e Shtetit Islamik.

Top Channel