Hajrie Rondo i rikthehet skenës pas një periudhe të gjatë shkeputjeje për shkak të problemeve të saj shëndetësore. Sërish ajo mbetet e njëjta, një grua me karakter të fortë dhe përgjegjësi të madhe për punën.

Ajo vjen në rolin e Sanijes, së bashku me rikthimin pas tre dekadash të komedisë “Tre Dhëndurët”, me autor Dionis Bubanin, që do të ngjitet në 20 tetor në Teatrin e Metropolit, me regji të Sonila Kapidanit.

“Sanija është një grua tipike jugore, por edhe kjo nuk i ka shpëtuar grackës së të shoqit, egoizmit dhe makutërisë për të arritur kuotat”, thotë Rondo.

“Tre dhëndurët” është një komedi me një seri karakteresh e situatash. Me një skenografi të një shtëpie province jugu të viteve ‘40, qëllimi i kësaj familjeje është vetëm një. Të martojë vajzën 27-vjeçare të konsideruar tashmë lëneshë. Por, kur kjo martesë përzihet me pazare pushteti, situata ndërlikohet.

Regjisorja Sonila Kapidani shprehet: “Çfarë po i bën makutëria e sotme atij brezi që do të jetë e ardhmja jonë? Ku do të shkojë kjo shoqëri më këtë lloj makutërie, që nuk e di se ku do të ndalet?”

Ndërsa aktori Gëzim Rudi thekson: “Babai i saj është më i keqi përsa i përket përdorimit të të bijës për të arritur qëllimet e veta”.

Kjo vepër e nxjerrë nga fondi i Estradës së Tiranës vjen edhe si një detyrim ndaj dramaturgjisë shqipe. Të cilën edhe aktorët dukshëm e preferojnë dhe po aq në publik ka impakt.

Top Channel