Debati për mbetjet, ambjentalistët dhe ricikluesit “përplasen” për ligjin

18/10/2016 00:00

Përplasja mes përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ricikluesve mbi ligjin e mbetjeve u zhvendos të hënën në një tryezë, ku ekspertë të mjedisit paraqitën argumentet pse Shqipëria për 10 vitet e ardhshme nuk është gati të importojë mbetje.

“Ju vini këtu sepse ju kanë dërguar si avokatë për të fituar para. Ne duam të fitojmë jetën e fëmijëve tanë. Ti je veshur me rroba firmato, ke bizneset e tua”, deklaroi analisti Artur Zheji duke iu drejtuar një biznesmeni.

Ambientalistët thonë se pasi përpunohen në kompanitë e riciklimit, mbetjet prodhojnë rreth 2% mbetje të rrezikshme dhe 20 deri në 30% plehra.

“Nuk kemi ku e depozitojmë këtë sasi në landfille, sepse nuk ekzistojnë këto landfille”, deklaroi ambjentalisti Sazan Guri.

Sipas tyre, lejimi i importit të mbetjeve nuk do të nxisë pastrimin e mbetjeve që gjenerohen në vend.

“Vendi ynë minimumi siguron për kompanitë e riciklimit 800 mijë tonë në vit. Po të dimë t’i ndajmë që në burim, përdorimi si zëvendësues i lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme që përdoren nga industria, pra plehra të depozituara, mbeten për t’u djegur”, nënvizoi Guri.

“Harrojini këto histori e përralla që ne kemi interes të marrim nga jashtë. Një ton letër për të ricikluar blihet në Shqipëri 100 mijë lekë. Në Europë është në bursë, 111 euro. Transporti është 50 euro”, tha Bardhyl Balza, kryetar i Shoqatës së Ricikluesve.

“Po pse e mbështesni ligjin atëherë? Kur nuk paska as sens financiar?”, replikoi më tej Zheji.

Ekspertë dhe qytetarë do të firmosin një rezolutë drejtuar kryeminstrit dhe kryetarit të Kuvendit për të kërkuar ndaljen e importit të mbetjeve.

Top Channel