Grabitja në Rinas, Gjykata e Lartë liron të dyshuarit

18/10/2016 00:00

Gjykata e Lartë iu dha të drejtë avokatëve mbrojtës të dy prej të arrestuarve për grabitjen në Rinas, duke rrëzuar masat e sigurisë të shpallura gjatë verës nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Kolegji penal vendosi “detyrim paraqitje” për drejtorin operacional të kompanise ISTS, Arben Karafili dhe agjentin e sigurisë Dafil Jonuzi.

Gjatë verës avokatët e tyre i kërkuan Gjykatës së Lartë të shprehej pasi sipas tyre, ndaj të dyshuarve kishte dy masa sigurie, një nga Krimet e Rënda dhe një nga Gjykata e Krujës, duke e futur dosjen në një rrugë të paprecedentë.

Ndërkohë që nuk janë shqyrtuar ende masat për tre të arrstuarit e tjerë, që janë Kujtim Picari, shoqërues i vlerave monetare; Vangjel Nikolla dhe Bledar Blloshmi.

Të pestë ish-punonjësit në Rinas megjithatë janë nën hetim nga Prokuroria e Krujës pas shpalljes së moskompetencës nga Krimet e Rënda, e cila deklaroi se nuk ka kompetencë të hetojë për veprën e “shpërdorimit të detyrës”.

Aktualisht Krimet e Rënda po hetojnë vetëm për grabitjen e 960 mijë eurove, pasi ka dyshime se grabitja brenda pistës së aeroportit është kryer nga i njëjti grup kriminal që grabiti me armë edhe në Kashar.

Top Channel