Lojërat Olimpike 2020, IOC pranon reduktimin e kostove

18/10/2016 00:00

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka gjetur marrëveshjen me Guvernatorin e Tokios, Yuriko Koike për reduktimin e kostove të Lojërave Olimpike të vitit 2020 që do të mbahen në kryeqytetin japonez.

Marrëveshja u arrit gjatë një takimi të zhvilluar mes Koikos dhe presidentit të IOC, Thomas Bach me këtë të fundit që propozoi ngritjen e një grupi pune për të gjetur mënyrën për të evituat shpenzimet e tepërta për këtë ngjarje të madhe sportive.

“Mund të studiojmë me kujdes buxhetin për Tokyo 2020 dhe së bashku mund të gjejmë zgjidhjen sesi ta bëjmë atë sa më fleksibël”, tha Bach.

Yuriko Koike që mori detyrën e tij në muajin gusht urdhëroi rishikimin e kostove  për Lojërat Olimpike të cilat kapën vlerën e 29 miliardë dollarëve, shifër kjo rreth 4 herë më e lartë nga vlerësimi fillestar që u bë në momentin që Tokio fitoi të drejtën e organizimit të këtij evenimenti

Në kostot e Lojërave Olimpike përfshihen ndryshimet në 3 prej ambienteve ku do të zhvillohen garat ku përfshihet edhe stadiumi Olimpik ku do të mbahen ceremonia e hapjes dhe e mbylljes së evenimentit.

Në të njëjtën kohë mbetet për t’u rikrijuar edhe logoja e këtyre Lojërave duke parë se ajo e mëparshme u anulua pasi u ngritën akuza për plagjiaturë.

Top Channel