Gabimet e Buffon, portieri iu përgjigjet kritikave

18/10/2016 00:00

Gianluigi Buffon në ndeshjet me Spanjën dhe Udinese-n tregoi disa pasiguri që është diçka normale për një kampion të moshës 38-vjeçare. E megjithatë kritikat në drejtim të tij nuk kanë munguar, me kapitenin e përfaqësueses italianë që nuk ngurroi t’u kundërpërgjigjej.

“Te kritika duhet kërkuar gjithnjë stimuli në momentin që e sheh se po të organizojnë funeralin”, tha Buffon për median. “Unë jetoj për sfidat dhe për të mbyllur gojën e atyre që kritikojnë pa i menduar mirë fjalët që thonë”.

Edhe pse 38 vjeç, Buffon nuk e mendon tërheqjen nga futbolli, madje ai siguroi se do të jetë i pranishëm në Botërorin e Rusisë.

“Tërheqja nga futbolli do të ndodhe një ditë dhe unë do ta pres i qetë”, vijoi Buffon. “Do të jem në Botërorin e vitit 2018. Kanë kaluar 10 vjet që nga fitorja e Kupës së Botës në 2006 dhe 24 vjet nga suksesi në 1982. Kështu për të parë një tjetër triumf duhen edhe 14 vjet të tjerë”.

Top Channel