Man.Utd me Mourinho-n, më keq se me Van Gaal

18/10/2016 00:00

Manchester United nuk po mund të përmirësohet edhe pse në pankinë është trajneri Jose Mourinho. Barazimi 0-0 në “Anfield” me Liverpoolin edhe pse mund të konsiderohet një rezultat jo i keq, nuk i fsheh problemet e “Djajve të Kuq”.

Në 5 ndeshjet e fundit në kampionat, Manchester United ka fituar vetëm 1, atë me Leicester në “Old Trafford”, ndërkohë që në klasifikim kjo skuadër është në vendin e 7, jashtë zonës Europiane. Statistikat e shënuara deri tani tregojnë një përkeqësim të situatës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur në stol ishte Louis Van Gaal.

Sezonin e kaluar, pas 8 javëve të para, “Djajtë e Kuq” të Van Gaal ishin në vendin e 3 të renditjes me 16 pikë, aq sa edhe Arsenali dhe vetëm 2 pikë larg rivalëve të Manchester City. Këtë sezon, Manchester United ka 14 pikë dhe ndodhet 4 pozicione më poshtë e për  më tepër me 5 pikë më pak se Citizens e Arsenali.

Këtë sezon, Manchester United ka shënuar më shumë gola 13, ndërkohë që 1 vit më parë ishte në kuotën e 12 golave, ndërsa në pasiv numri i golave të pësuar është 8, po aq sa edhe në 2015/2016. Sfida që ka peshuar më shumë për Manchester United me Mourinhon në pankinë është derbi me Manchester City e humbur 1-2, pasi që nga ai moment Djajtë e Kuq nuk kanë mundur të ngrenë kokë.

Ndërkaq, sfida me Liverpoolin zbuloi edhe disa statistika të tjera. Për herë të parë në këtë sezon Manchester United nuk ka mundur të shënojë, ndërkohë që në një lloj krize është edhe Ibrahimovic i cili nuk gjen dot rrugën e rrjetës prej 4 ndeshjesh. Për më tepër, në Anfield, Manchester United e zotëroi topin për 35% të kohës, shifra më e ulët e shënuar në Premier League që nga momenti i regjistrimit edhe të kësaj statistike.

Top Channel