Man. City tentoi blerjen e yjeve të Barçës

18/10/2016 00:00

Pep Guardiola dhe Manchester City ishin gati për të bërë çmenduri për të sjellë në “Ettihad Stadium” një prej 3 sulmuesve të Barcelonez, Messi, Suarez apo Neymar. Kjo prapaskenë e klubit anglez zbulohet nga El Mundo Deportivo sipas të cilit, Manchester City fillimisht provoi të bindë Suarez, më pas Messin e në fund Neymar, por në të tre rastet përgjigja e marrë ishte negative.

Gjithnjë sipas El Mundo Deportivo, për Suarez, Manchester City ishte gati të paguante 100 milionë euro, por uruguajani preferoi të qëndrojë te katalanasit që i kanë premtuar edhe rinovimin e kontratës. Duke parë këtë situatë, drejtuesit e Citizens i përqendruan forcat te Messi, por edhe në këtë rast refuzimi ishte kategorik.

Më pas radha i erdhi Neymar. Drejtori i përgjithshëm i City, Ferran Soriano hyri në kontakte me babain e futbollistit, por mori të njëjtën përgjigje si Paris Saint Germain, Real Madrid e Manchester United; Neymar nuk lëviz nga Barcelona. Por jo vetëm kaq, sulmuesi brazilian pritet që të premten të firmosë kontratën e re nga e cila ai pritet të përfitojë 25 milionë euro në sezon, ndërkohë që klauzola për zgjidhjen e saj do të shkojë në 250 milionë euro, e njëjta shifër që është edhe në kontratën e Messit.

Por obsesioni i Guardiola-s me Barcelonën  nuk kufizohet vetëm te trinomi Messi-Suarez-Neymar. Citizens i hodhën sytë edhe nga Sergi Busquets, por edhe kjo tentativë rezultoi një dështim, kështu që në fund anglezët u detyruan të kënaqen vetëm me blerjen e Claudio Bravos.

Top Channel