Pushtimi i Mosulit, dita e dytë e sulmit, ushtria dhe peshmergat përparojnë

18/10/2016 00:00

Trupat irakiane po ecin më mirë se ç’parashikohej thotë Pentagoni, ndërsa ofensiva për marrjen e Mosulit hyri në ditën e dytë.

Pohimeve optimiste zëdhënesi i tij Peter Cook i shtoi edhe paralajmërimin se mund te duhet kohë për të rifituar kontrollin e qytetit të dytë më të madh të Irakut. Rezistenca qe do të bëjnë luftëtarët e Shtetit Islamik mbetet për t’u parë. Luftimet vazhduan përgjatë gjithë natës e ka raporte se militantët sulmuan disa tanke të ushtrisë irakiane.

ISIS e mori Mosulin qershorin e vitit 2014. Lideri i grupit ekstremist, Abu Baker al Bagdadi e zgjodhi asokohe këtë qytet si vendin ku do të njoftonte krijimin e kalifatit, ndaj marrja e tij ka rëndësi të madhe simbolike. Ora zero mbërriti në Mosul me nisjen e mësymjes që do të përcaktojë fatin e tij e ndoshta edhe të vetë Irakut. Peshmergat kurdë janë përgatitur të vrasin, por edhe të vriten në këtë betejë.

“Ne kemi një armik të fuqishëm. Nuk po luftojmë këtu vetëm për kurdët apo Shiitët. ISIS është në luftë me të gjithë botën. Ne duam ta mposhtim për të mirën e të gjithëve”, thotë një luftëtar peshmerga.

Shteti Islamik u detyrua të braktistë disa territore gjatë ditës se parë të ofensivës. Civilet atje ishin larguar me kohë. Rezistence atje nuk pati shumë, por çfarë ndodh brenda Mosulit, kjo është tjetër histori.

Koalicioni i 30.000 irakianeve, peshmergave dhe luftëtarëve fisnorë sunitë e filloi të hënën avancimin drejt fortesës së fundit të rëndësishme të ISIS-it në këtë vend pas muajsh të tërë planifikimi.

Top Channel