Propozimi i Manjanit: Ushtria kundër hashashit

18/10/2016 00:00

Duke folur në emër të perceptimit publik mbi kultivimin e kanabisit, por edhe duke e konsideruar po aq të dëmshëm sa edhe firmat piramidale, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani propozoi aktivizimin e ushtrisë kundër këtij fenomeni.

“Perceptimi është shumë i madh. Njerëzit janë të bindur që kjo gjë ndodh në Shqipëri dhe mendoj se na takon neve të reagojmë në mënyrë proporcionale. Që do të thotë se duhet të reagojmë në mënyrë më të fortë se deri më sot dhe të ndërhyjë edhe ushtria. Unë nuk e di nëse është emergjencë apo jo, unë thash: nëse është e nevojshme për të dhënë një efekt reagues proporcional edhe ushtria duhet të dalë. Sepse mua më intereson ky mesazh: nga ky fenomen o ndahemi tani, o nuk ndahemi më. Është i ngjashëm me efektet e firmave piramidale. Nëse është ky perceptimi, ne duhet ta luftojmë. Nëse është realitet, atëherë akoma më keq”, deklaroi Manjani.

Ministri Manjani foli me shqetësim edhe për kushtet në burgun e Zaharisë dhe në spitalin e burgut, të dyja këto institucione të amortizuara dhe të denoncuara edhe nga Top Channel.

“Spitali i burgut është në të njëjtën situatë si spitali i Zaharisë. Ne kemi në projekt për ridizajnimin e spitalit të burgut për ta futur në një plan investimesh agresiv, me shpresë që vitin e ardhshëm, me qëllim që ta ruajmë atë spital që është brenda QSUT-së e kushdo që gjendet atje mund të marrë shërbimet e specializuara”, tha Manjani.

Top Channel