Plagosja në Vlorë, arrestohen 2 persona, dyshohen si autorë

18/10/2016 00:00

Policia e Vlorës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e dy autorëve të plagosjes së ndodhur gjatë ditës së djeshme në këtë qytet, ndërsa ka shpallur në kërkim një tjetër person.

Nga policia bëhet e ditur se personat e arrestuar janë shtetasit Olgert Shehu, 38 vjeç, si dhe Hajri Xhaferi, 53 vjeç, të dy banues në Vlorë, ndërsa është shpallur në kërkim Klejvis Gjahtari, 29 vjeç, i cili ka qenë shpallur në kërkim gjithashtu për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” në vitin 2012.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi Klejvis Gjahtari, në bashkëpunim me shtetasin Olgert Shehu, ditën e djeshme para kryerjes së plagosjes, në lagjen “Ujë i ftohtë” dyshohet se kanë vjedhur me dhunë shtetasin F.M., duke i marrë këtij të fundit automjetin e llojit “BMV-X6” me targë AA333MK, portofolin me një sasi parash prej 500 euro, disa bizhuteri personale që dispononte me vete si dhe aparatin celular.

Sipas policisë, rreth 1 orë më vonë pas konfliktit për arsyet e mësipërme, në një rrugicë të lagjes “Pavarësia”, dyshohet se shtetasi Klejvis Gjahtari, ka plagosur me armë zjarri të llojit “Pistoletë” shtetasin F.M., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal, në gjendje shëndetësore jashtë rrezikut për jetën.

Policia ka bllokuar dhe sekuestruar 2 automjete të gjetura rreth 500 m larg vendit të ngjarjes: Një tip “Benz-Mercedes” me targë AA985NV, si dhe një “BMV-X6” me targë AA333MK.

Top Channel