Melania mbron Trumpin: U tërhoq nga biseda mes meshkujsh në vitin 2005

18/10/2016 00:00

Melania Trump i doli në mbrojtje të shoqit, në intervistën e parë të saj që prej shpërthimit të skandalit, që po i kushton shumë kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë.

Akuzat e hedhura ndaj tij, 46-vjeçarja i quajti “gënjeshtra” e tha se bashkëshorti i vet ishte “tërhequr” në një bisedë meshkujsh në vitin 2005, kur u regjistrua videoja me komentet e tij fyese për gratë.

“Unë e besoj tim shoq. E besoj plotësisht. Kjo është e gjitha e organizuar nga kundërshtarët. Pale pastaj ato detajet…e keni kontrolluar ndonjëherë të kaluarën e këtyre grave? Ato nuk paraqitën asnjë fakt. Ai është një xhentëllmen”, tha Melania.

Melania shtoi se nuk e ka dëgjuar ndonjëherë njeriun me të cilin ndan jetën, të përdorë atë lloj gjuhe.

“Ishte befasi për mua, sepse nuk e dija që ai njeri mund të fliste ashtu, se do të thoshte gjëra të tilla në bisedime private. Djemtë e dini si janë, duan të mburren te njëri-tjetri, sidomos kur flasin për vajzat. Por nga gjuha e tij unë mbeta sigurisht e çuditur”, tha Melania.

Më fort, ajo sulmoi artikullin në vetë të parë të revistës “People”, ku gazetarja Natasha Stoynoff thoshte se Trumpi e ka ngacmuar gjatë kohës që përgatiste një shkrim mbi përvjetorin e tij të parë të martesës.

Reporterja përshkruante aty edhe një takim të rastësishëm me Melania Trump, që thotë se nuk është gjendur kurrë përballë saj dhe kërcënon ta hedhë në gjyq për të tilla pretendime. Vet Trumpi pati si ndalesë të radhës në fushatën e tij elektorale Green Bay-n në Wisconsin, ku tha se po të zgjidhet president do t’u kërkojë zyrtarëve të ekzekutivit t’iu ndalohet për 5 vite lobimi pas largimit nga qeveria.

Top Channel