Rusia ndërpret bombardimet në Aleppo, për 8 orë

18/10/2016 00:00

Rusia njoftoi ndërprerjen e bombardimeve në Aleppo për arsye humanitare. Operacionet e Moskës do te pezullohen të enjten, në 20 tetor nga ora 08:00 e mëngjesit deri në 4 të pasditës. Pauza, sipas ministrisë ruse te mbrojtjes, nënkupton që nga qyteti thuajse i rrënuar sirian mund te largohen si civilët, ashtu dhe rebelët.

Lëvizja ruse erdhi në ditën kur nga një sulm në Aleppo mbetën të vrarë sipas aktivistëve 14 persona të së njëjtës familje.

Përgjatë atyre 8 orëve, tha zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, Sergei Rudskoy, nga forcat ruse dhe ato siriane nuk do të ketë as sulme ajrore e as zjarr armësh. Vendimin për të mos humbur kohë, por për të vendosur këtë pauzë humanitare e morëm kryesisht për të garantuar largimin e civilëve, evakuimin e të plagosurve dhe të sëmurëve si dhe për tërheqjen e luftëtarëve në terren, shtoi ai.

Rusia është gjendur nën një rrebesh kritikash të vendeve perëndimore për sulmet e saj në Aleppon e kontrolluar prej kundërshtarëve të regjimit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe figura të rëndësishme politike e kanë akuzuar Moskën për krime lufte, ndërsa kësaj teorie iu bashkua së fundi edhe Këshilli i Çështjeve të Jashtme i Bashkimit Europian, sipas të cilit shënjëstrimi i spitaleve, personelit mjekësor, shkollave, infrastrukturës bazë si dhe përdorimi i bombave thërrmuese, bombave fuçi dhe armëve kimike përbëjnë një përshkallëzim të tillë katastrofik të situatës sa mund të konsiderohen pikërisht si krime lufte.

Top Channel