Liverpool-Man. United mbyllet në barazim, De Gea shpëton “djajtë”

17/10/2016 00:00

Beteja e të kuqve në kampionatin anglez të futbollit nuk ka nxjerrë fitues pasi 90 minutëshi mes Liverpool dhe Manchester United u mbyll në barazim 0-0. Shumë yje në fushë, por asnjë prej tyre nuk arriti të shënonte një gol që do t’i jepte vlerën e duhur një ndeshjeje gjithsesi elektrizuese, e cila mbajti të mbërthyer tifozët në impiantin “Anfield”.

Fraksioni i parë rezervoi një futboll të bukur me asnjë prej ekipeve në kontroll të plotë, por me portierët respektivë të impenjuar në shumë raste. Zlatan Ibrahimovic dhe Pol Pogba tentuan të bëjnë diçka me vlerë nga arsenali i tyre teknik, por pa mundur dot të prishnin ekuilibrat. Në pjesën e dytë Liverpul kishte shanse më të pastra shënimi dhe ishin ndërhyrjet e David de Gea-s që evituan disfatën e United.

Në minutën e 59, portieri spanjoll i mohoi golin Emre Can në një ndërhyrje të bukur, ndërsa bëri mrekullinë pak minuta më vonë. Në të 71-ën, Coutinho tentoi një goditje spektakolare nga 30 metra, por përgjigja e De Gea-s fitoi edhe duartrokitjet e tifozëve të Liverpool-it.

Ofensiva finale e vendasve nuk arriti të çajë prapavijën e United, me barazimin që mbretëroi deri në fund.

Top Channel