Banka britanike mbyll llogaritë e televizionit rus

17/10/2016 00:00

Banka britanike NatWest ngriu llogaritë e televizionit shtetëror rus RT, diçka që është konsideruar si e padrejtë nga ky kanal.

Zyrtarë të RT thanë se morën një letër nga banka ku lajmëroheshin se të gjitha llogaritë e RT në Britani ishin mbyllur dhe se i gjithë grupit i Bankës Mbretërore të Skocisë ku bën pjesë edhe NatWest refuzon që ti shërbejë këtij televizioni.

Megjithatë, dokumente të botuara nga vetë RT tregojnë se llogaritë do të mbyllen që prej 12 dhjetorit duke treguar se banka i ka dhënë një muaj kohë televizionit rus. Ky i fundit e ka komentuar vendimin e pakthyeshëm të bankës si një sulm ndaj lirisë së shtypit, ndërsa zyrtarë të tij premtuan se do të vazhdojnë të punojnë edhe pas mbylljes së llogarive.

RT, e cila më herët njihej si “Rusia Sot”, tha se në letrën e dërguar nga banka nuk ka asnjë arsye për mbylljen e llogarive, por thjesht thuhet se pas rishikimit të situatës, kishte vendosur të mos i fronte më shërbime këtij televizioni. Më herët, RT, i cili drejtohet nga Kremlini, ishte sanksionuar nga rregullatori britanik i transmetimeve për OFCOM për raportime të rreme.

RT akuzoi BBC se kishte fabrikuar një lajm për sulme kimik në Siri. Por pas ankimimit të BBC, u gjobit nga autoriteteti britanik, i cili tha se raportimi i RT ishte i pasaktë dhe jepte informacione të gabuara.

Top Channel