Mandatet dhe Europiani, Ceferin nis reformimin në UEFA

17/10/2016 00:00

Presidenti i UEFA-s Aleksander Ceferin ka nisur të aplikojë idetë e tij që e shpallën fitues në Kongresin e qeverisë së futbollit kontinental. Që nga kufizimi i mandateve për kreun e institucionit e deri te rikthimi i formatit të vjetër të Europianit, avokati slloven e ka të qartë sesi duhet të drejtojë organizmin më të lartë të futbollit kontinental.

“Të gjitha problemet e UEFA-s në mandatin e kaluar, derivojnë nga fakti që shumë njerëz me pushtet kanë qëndruar në detyrë për një kohë të gjatë. Mandatet ndërkohë duhet të limitohen në 8 vjet, e ndoshta maksimumi në 12. Mbi këtë gjë do të vendos pas konsultimeve me federatat anëtare”, tha kreu i UEFA-s në një intervistë për gazetën “Dnevnik”.

Slloveni që prej një muaji ka pasuar Michel Platini në fronin e futbollit europian, foli gjithashtu për Europianin 2020 dhe formatin e shumëdiskutueshëm për ta zhvilluar në 13 shtete të ndryshme.

“Ishte një vendim shumë i guximshëm, por nuk janë aspak të qarta avantazhet ekonomike dhe as sesi tifozët do të udhëtojnë për shembull në distanca të largëta nga Bilbao në Baku”, apo nga Kopenhagen në Romë. Besoj se edicioni i tjetër do të rikthehet në modelin e vjetër”, tha presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin.

Top Channel