Champions në fokus, Cristiano ndjek golin nr. 100

17/10/2016 00:00

Ndeshjet e treta në grupet e Champions League karakterizohen nga përballje interesante që nga rekordi potencial i Cristiano Ronaldo-s, rikthimi në shtëpi i Pep Guardiola-s, apo rreziqet e Bayern Munchen. Sfida kryesore e kupës me “veshë të mëdhenj” do të jetë ajo në “Camp Nou” mes dy ekipeve si Barcelona dhe Manchester Citi.

Si të mos mjaftonte përplasja e yjeve, Pep Guardiola do të rikthehet aty ku qëndroi për shumë vjet si futbollist dhe trajner, e do të ketë një pengesë me pretendentët e Luis Enrique. Lionel Messi është rikuperuar plotësisht dhe do ta nisë nga minuta e parë ndërsa në kampin e “Sitizens”, rreziku më i madh mban emrin e Aguero-s.

Cristiano Ronaldo ndjek golin numër 100 në Champions dhe këtë objektiv ia bën më të lehtë një kundërshtar modest në pretendime, si Legia. Për momentin portugezi ndodhet në kuotën 96, por nuk përjashtohet një shpërthim potencial ndaj polakëve. 4 gola janë shumë për një ndeshje të vetme, por kur Cristiano ndjek një objektiv personal, e bën ndoshta me më tepër motivim sesa në diskutimin e fanelës.

Juventus do të luajë në Francë ndaj Olimpikut të Lionit, një ndeshje ku trajneri Allegri do të lërë pushim disa titullarë, ndërsa Leicester City do të luajë në Danimarkë ndaj Kopenhagen me surprizën e grupit që pret ekipin e Ranierit. Për Foxes, ecuria pozitive europiane është në kontrast me Premier Ligën.

Top Channel