Grabitësi i karburanteve, policia dyshon se është i njëjti autor

17/10/2016 00:00

Policia dyshon se personi i regjistruar nga kamerat e sigurisë së një pike karburanti është autor i tre grabitjeve në seri të ndodhura në vetëm 10 ditë në kryeqytet. Autori është i maskuar me kapuç në kokë dhe me një shami në fytyrë, i vetëdijshëm se po filmohet nga kamerat e sigurisë dhe nën kërcënimin e armës ai ka arritur të marrë në të 3-ja rastet xhiron ditore.

Rasti i fundit ishte ai i mbrëmjes së të dielës kur grabiti për të dytën herë po një pikë karburanti n zonën e Selitës, ku përveç shumës prej 8 mijë lekësh ai arriti të grabiste edhe një celular iPhone 6.

Nga hetimet paraprake dyshohet se autori është rreth 25 vjeç, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e tij.

Nisur nga grabitja e parë e ndodhur ne zonën e “Unazës së Re”, policia dyshon se ai nuk vepron i vetëm, por ndihmohet nga një person tjetër me të cilin largohen me një motor. Po ashtu, polica e Tiranës ka arrestuar një 16 vjeçar, i cili ka tentuar të grabisë një market. Të miturit iu gjetën dorashka, kapuç, një kaçavidë dhe disa sende të tjera me të cilat do të realizonte vjedhjen.

Top Channel