Venecia certifikon pronat. Manjani: Ligji i ri do të zbatohet i plotë

17/10/2016 00:00

Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani njoftoi se, ligji për Trajtimin e Pronës kaloi me sukses në Komisionin e Venecias.

Ne rrjetin social “Facebook” Manjani shprehu keqardhjen qe ky ligj nuk u bë më parë. Në gjykimin e Manjanit ky ligj duhej bërë që në vitin 1991, e megjithatë thotë kreu i drejtësisë shqiptare, “më mirë vonë se hiç”.

Pas nxjerrjes së këtij ligji nga qeveria në janar të këtij viti ai u bllokua. Presidenti e riktheu atë për herë të dytë në Parlament dhe sërish ligji u votua nga mazhoranca.

Me pretendimin se ligji cenonte parimin bazë kushtetuese të sigurisë juridike dhe zhbënte konceptin e ekonomisë së tregut, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, i ndjekur më pas edhe nga shoqatat e pronarëve dërguan ankimimin e tyre në Gjykatën Kushtetuese. Ligji u kundërshtua fort edhe nga deputetët e opozitës kur ai kaloi gjatë votimit në Parlament.

Gjatë marrjes në shqyrtim të këtij ligji ishte Gjykata Kushtetuese ajo që kërkoi një opinion zyrtar nga Komisioni i Venecias.

Ky Komision vlerësoi si të drejtë dhe në përputhje të plotë me standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Manjani shprehet ne mesazhin e tij, se mbetet që Gjykata jonë ta pranojë këtë opinion dhe ta bëjë pjesë të vendimit të saj.

Top Channel