Partizani ngjitet në vend të dytë, Flamurtari shpërbëhet në fund

17/10/2016 00:00

Dy ndeshje nën drejtimin e Partizanit, dy fitore për Sulejman Starovën. Ky është bilanci i të kuqve të cilët brenda pak ditësh kanë marrë 6 pikë dhe ngjiten në vendin e dytë.

Pas Laçit në mesjavë Partizani ka shkatërruar 4-0 Flamurtarin në “Elbasan Arena”, duke u ngjitur kështu në vendin e dytë në kuotën e 14 pikëve.

Ekuban hap serinë e golave, për t’i lënë radhën Trashit dhe me shifrat 2-0 mbyllin 45 minutat e para. Në pjesën e dytë të kuqtë rezervojnë edhe dy gola brenda 3 minutave në fundin e ndeshjes, Vila në minutën e 86-të dhe Bardhi në fundin  takimit, duke regjistruar kështu fitoren e 4 në 7 javë.

Ndërkohë Teuta ka regjistruar fitoren e parë sezonale dhe këtë e merr përball Luftëtarit në “Niko Dovana” me rezultatin 2-0.

Bangal zhbllkon ndeshjen në minutën e 24-t, ndërkohë që në pjesën e dytë Cyrbja shënon pak minuta përpara përfundimit të ndeshjes golin e dytë që vulos këtë sukses të parë sezonal, që gjithsesi nuk e shpëton nga vendi i fundit Teutën, e cila ka vetëm 5 pikë aq sa edhe Korabi e Flamurtari.

Edhe Laçi ka siguruar fitoren e parë në sezon dhe e ka bërë përballë Vllaznisë në transfertë me rezultatin 1-2. Pavarësisht se shkodranët kaluan të parët në avantazh me Shtubinën, gjithçka u përmbys në këtë takim.

Në fillim Toskit me një goditje standarte barazpeshon shifrat, ndërsa Lulaj shënon golin e fitores për skuadrën laçjane që merr këto tre pikë të para të sezonit duke u ngjitur në vendin e shtatë në kuotën e 6 pikëve, një më tepër se zona e ftohtë.

Top Channel