Guvernatori Sejko pret Ambasadorin austriak

17/10/2016 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti në një takim ambasadorin austriak në Tiranë, Johann Sattler.

Në këtë takim, Guvernatori Sejko pasi ka falenderuar Austrinë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Shqipërisë, mbështetje me ndikim në të gjitha fushat e vendit, sipas tij, e ka njohur kryediplomatin austriak me zhvillimet ekonomike dhe financiare në vendin tonë.

Për sa i përket sistemit bankar, Guvernatori Sejko, theksoi se sot ky sistem shfaqet me tregues mjaft të mirë financiarë. Në këtë drejtim, prioritetet e  punës së Bankës së Shqipërisë janë orientuar më së shumti drejt identifikimit të masave për nxitjen e kreditimit, reduktimit të kredive me probleme dhe forcimit të stabilitetit financiar. Më tej,Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit.

Ambasadori i Republikës së Austrisë në Shqipëri, Dr. Johann Sattler vlerësoi punën e bërë nga Banka e Shqipërisë, në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të sistemit financiar në vend. Gjithashtu, Ambasadori theksoi se institucionet shqiptare duhet të jenë më vokale në promovimin e Shqipërisë, e cila ka njohur ndryshime të dukshme ndër vite.

Në përfundim të këtij takimi, të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtën mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Top Channel