Britania e Franca: BE të vendosë sanksione kundër Rusisë

17/10/2016 00:00

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Britania dhe Franca u përpoqën të bindnin Bashkimin Europian të dënonte fushatën shkatërruese ajrore në Siri, duke i hapur rrugën sanksioneve të tjera kundër qeverisë së Bashar al-Assadit dhe Rusisë.

Ministrat kërkuan fundin e bombardimeve në lindjen e kontrolluar nga rebelët në Alepo, ku 265 mijë persona kanë mbetur të bllokuar, dhe për hyrjen e shpejtë të ndihmave humanitare. Sekretari britanik Boris Johnson, zgjidhjen e problemit e sheh te qeveria e Assadit dhe Rusia.

“Ata e kanë në dorë të frenojnë dhunën. I bëj thirrje Moskës të zgjedhë një rrugë tjetër dhe t’i hapë rrugën paqes, duke na rikthyer në tryezën e negociatave në Gjenevë”, tha Johnson.

Më e ashpër ka qenë retorika e homologut të tij francez, Jean-Marc Ayrault, i cili denoncoi atë që e quajti logjika e shkatërrimit të Assadit e Rusisë, dhe i kërkoi Brukselit të tregojë unitet në reagimin ndaj Moskës.

“Duhet të jetë e qartë se Rusia, bashkë me Bashar al-Assadin janë të angazhuara në një logjikë shkatërrimi. Mbyllja e syve nuk mund të jetë një mundësi në këtë situatë”.

Por blloku është tejet i ndarë lidhur me strategjinë që duhet ndjekur me Rusinë, furnizuesin e tij më të madh të energjisë. Gjermania u tregua e matur në reagimin e saj, me ministrin e Jashtëm Frank-Walter Steinmeier që refuzoi vendosjen e sanksioneve shtesë ndaj Moskës.

Gjithsesi, një gazetë gjermane sugjeroi se kancelarja Angela Merkel ishte në favor të masave të tjera ndëshkuese. Udhëheqësit e BE-së pritet të diskutojnë për Rusinë dhe sanksionet e mundshme në samitin e Brukselit të enjten, por aleatët e ngushtë të Putinit, si Greqia, Qipro dhe Hungaria janë kundër. Të njëjtin mendim ndan edhe Austria.

Top Channel