Guardiola: Premier League? Jo më e mirë se të tjerat

17/10/2016 00:00

Premier League nuk është superiore ndaj kampionateve të tjera në Evropë. Kjo është ajo që ka deklaruar trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, i cili kundërshton mendimin e shumë personave që e cilësojnë kampionatin anglez si më të fortin në botë.

“Kam dëgjuar të flitet shumë për intensitetin e Premier League, kur janë të shumtë ata që nuk kanë qenë asnjëherë në Ligën Spanjolle apo atë gjermane. Diferenca qëndron në faktin që në Angli ka më shumë ndeshje, por mënyra si luhet në Bundesligë është impresionuese. Duhet të tregohet më shumë respekt për ligat e tjera”, tha Guardiola për Fox Sports.

Pep Guardiola më pas foli edhe për Barcelonën, rivalin e “Citizens” në Ligën e Kampioneve, si dhe nivelin e skuadrave spanjolle.

“Barcelona është e veçantë për mënyrën sesi luan. Një makinë e vërtetë me 3 sulmues fantastikë që aplikojnë edhe kundërsulme shumë të shpejta. Nëse fituan 4-0 këtë radhë është se e kërkuan këtë rezultat dhe e merituan. Mendoj se çdo kampionat ka karakteristikat e tij, por diferencën në fund e bëjnë kualitetet. Skuadrat spanjolle prej 10 vitesh fitojnë kompeticione evropiane ose arrijnë në finalet e tyre dhe kjo sepse kanë në përbërje futbollistë të shkëlqyer”, tha Guardiola.

Top Channel