Gjermani, shpërthim në impiantin kimik. Të paktën një i vdekur

17/10/2016 00:00

Kompania më e madhe kimike në botë, “BASF” ka njoftuar këtë të hënë se ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e shpërthimit në selinë e saj në Ludwigshafen të Gjermanisë. Ngjarja ka shkaktuar të paktën një të vdekur, 6 rezultojnë të zhdukur, ndërsa disa të tjerë janë plagosur.

“Po, ka pasur një shpërthim me disa të plagosur, siç konfirmohet deri më tani, për shkaqe ende të papërcaktuara rreth orës 11:30 në Ludwigshafen”, thuhet në deklaratën për shtyp të kompanisë.

Shpërthimi ndodhi në një port lumor, që përdoret për shkarkimin e lëngjeve të djegshme dhe gazit të lëngshëm, sipas “BASF”-së. Një tjetër ambient i fabrikës është mbyllur për shkaqe sigurie pas incidentit, tha zëdhënësja e “BASF”.

“Shërbimet e emergjencës nga i gjithë rajoni kanë shkuar në vendngjarje për të parandaluar përhapjen e flakëve në ambiente të tjera të impiantit kimik”, bënë të ditur autoritetet e qytetit të Ludwigshafen.

“BASF” dhe policia lokale kanë paralajmëruar banorët përreth impiantit gjigant, por edhe në qytetin fqinj të Mannheimit, të qëndrojnë në shtëpi dhe të mbyllin dyer e dritare. Sipas një njoftimi në “Twitter”, autoritetet e qytetit thonë se banorët pranë impiantit kanë nisur të ankohen për “irritime në rrugët e frymëmarrjes”.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel