Liverpool-Manchester United ose Klopp-Mourinho

17/10/2016 00:00

Sot në mbrëmje luhet ajo që cilësohet si “Klasikja” e Premier League: Liverpool-Manchester United. Një sfidë që brenda saj mbart edhe përballjen mes Jurgen Klopp e Jose Mourinho, të mbiquajtur edhe “Normal One” e “Special One”.

Jurgen Klopp, 47 vjeç, është një trajner karizmatik, i apasionuar, argëtues, por në disa raste edhe polemik. Te Borussia Dortmund jo vetëm që triumfoi si trajner, por klubi u identifikua me të. Borussia ishte Klopp dhe anasjellas. Por, trajneri gjerman shumë shpejt u bë një idhull edhe në Anfiled, pavarësisht humbjes në finalen e Europa League ndaj Sevilla.

Ndërsa Mourinho konsiderohet si mishërimi i polemikës, por në të njëjtën kohë ai është edhe një trajner që di si fitohen trofetë. Drejtoi Porton dhe Interin drejt titullit kampion të Evropës, madje me zikaltrit ai shkroi historinë, pasi Interi u bë e para skuadër italiane që fitoi tre trofetë sezonale. Në të njëjtën kohë, ai ka fituar tituj edhe në Angli, Itali, Spanjë e Portugali. Edhe Mourinho ka pasur efekt te tifozeria, por ai ka qenë i ndryshëm nga ai i kolegut të tij gjerman.

Nuk është hera e parë që Klopp dhe Mourinho vihen përballë njëri-tjetrit. Në 31 tetorin e vitit të kaluar, gjermani shënoi fitoren e parë kundrejt Mourinho si trajner i Liverpool, teksa mposhti Chelsea, me portugezin që në muajin dhjetor u shkarkua nga drejtimi i “Bluve” të Londrës.

Klopp e Mourinho i kanë matur forcat me njëri-tjetrin edhe në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve në sezonin 2012/2013, kur drejtonin Borussia Dortmund dhe Realin e Madridit. Klopp eliminoi portugezin falë fitores 4-1 të ndeshjes së luajtur në Gjermani, ku Lewandowski shënoi 4 gola në portën e Realit.

Top Channel