Gjermani, “e-mail”-e kërcënuese për të shtëna në disa shkolla

17/10/2016 00:00

Disa shkolla në Gjermani kanë marrë “e-mail”-e me përmbajtje kërcënuese për të shtëna. Lajmi raportohet nga disa media lokale, të cilat citojnë autoritetet policore. Të gjithë mesazhet kanë të njëjtën përmbajtje.

Të paktën 3 shkolla fillore në qytetin lindor të Lajpcigut kanë marrë kërcënime për të shtëna përmes “e-mail”-eve, bëri të ditur rrjeti televiziv “MDR” gjatë kësaj të hëne. Në “Neue Nikolaischule”, kërcënimet kanë detyruar nxënësit të mbyllen në njërën prej klasave dhe të njoftojnë policinë.

Në Magdeburg, qyteti i dytë më i madh i rajonit Saxony-Anhalt, dy shkolla kanë marrë kërcënime të së njëjtës natyrë, ndërsa kanë nisur edhe kontrollet nga forcat e policisë. Oficerët kanë siguruar hyrjet e këtyre objekteve, sipas “MDR”.

Njëra prej shkollave, “Hegel-Gymnasium” i dërgoi të gjithë nxënësit në shtëpi, duke argumentuar këtë vendim për arsye sigurie.

“Jemi më shumë sesa të shokuar”, tha këshilli edukativ i Lajpcigut në “Twitter”. “Shpresojmë që asgjë të mos ketë ndodhur, ndërsa nxënësit deri më tani janë të gjithë të sigurtë”.

Kërcënimet janë dërguar në disa shkolla të Lajpcigut, “Reclam-Gymnasium”, “Kant-Gymnasium”, “Thomas-Gymnasium”, “Schillergymnasium”, si dhe “Neue Nikolaischule”, sipas “Radio Dresden”.

Policia ka refuzuar të publikojë përmbajtjet e “e-mail”-eve. Oficerët e pranishëm në të gjitha shkollat e kërcënuara të Lajpcigut nuk po lejojnë daljen e nxënësve prej klasave.

“E-mail”-et raportohet të jenë dërguar nga e njëjta adresë dhe me të njëjtën përmbajtje. Shkolla të tjera në qytetet e këtij rajoni, Bautzen, Goerlitz, Dresden dhe Chemnitz, nuk raportojnë të kenë marrë këtë kërcënim, sipas asaj që bëjnë të ditur nga Autoriteti i Arsimit në Saxony.

Top Channel