Tifozët e Interit kundër ultrasve, mbështesin Icardin

17/10/2016 00:00

Në pritje të masave ndëshkuese ndaj sulmuesit Mauro Icardi, shumica e tifozëve të Interit kanë dalë në mbrojtje të kapitenit të tyre.

Pas mosmarrëveshjes me ultrasit pasi u publikua biografia e tij, drejtuesit zikaltër morën qartë anën e ultrasve, duke thënë se lojtarët duhet të “respektojnë tifozët”. Por, në fakt, vetë tifozët janë ata që kanë nisur një peticion “online” dhe thonë se Icardi nuk duhet të sulmohet dhe se klubi duhet të rishikojë pozicionin e tij në këtë çështje.

Kjo ndarje e tifozëve të zakonshëm nga ultrasit u pa edhe në San Siro, kur, pasi Icardi humbi 11-metërshin, “Curva Nord” e vërshëlleu, ndërsa pjesa tjetër e stadiumit e mbështeti me duartrokitje.

Ja dhe komunikata e tifozëve të Interit në mbrojtje të Icardit:

“Ne, tifozët e Interit dhe njerëz të mirëkuptueshëm dënojmë veprimet e “Curva Nord” në dëm të futbollistit Mauro Icardi, që nga komunikata e mëngjesit e deri te rrëmujat e mbrëmjes. Mendojmë se është e papranueshme të sulmosh me atë ton një anëtar të shoqërisë SONË, që është për më tepër kapiten dhe lojtar simbol i skuadrës, vetëm sepse ka treguar versionin e tij të ngjarjes në Reggio Emilia të datës 01/02/2015, në përfundim të ndeshjes Sassuolo-Inter, version që në fakt është konfirmuar nga dëshmitarë okularë dhe regjistrime televizive.
Mendojmë se djali ka vepruar mirë, duke nënvizuar gabimet e tij, duke kërkuar falje për frazat e diskutueshme dhe duke shpjeguar ngjarjen, duke nënvizuar se nuk ka qenë qëllimi i tij goditja e “Curva Nord”, por ata të çmendur që mund të shkonin në shtëpinë e tij (gjë që ndodhi fatkeqësisht).

I kërkojmë gjithashtu zotërinjve Ausilio dhe Zanetti që të rishikojnë pozicionin e tyre në lidhje me këtë çështje. Ne e dashurojmë Interin dhe nuk duam që akte të tilla të prishin emrin e mirë të skuadrës që dashurojmë.

Gjithmonë forca Inter, tifozët”.

Top Channel