PD, Boçi: Rama e ktheu arsimin në një tryezë çakenjsh

17/10/2016 00:00

Deputeti i PD, Luçiano Boçi ka akuzuar kryeministrin Rama se, ndryshe nga sa pretendon, e ka kthyer arsimin në një “tryezë çakenjsh”.

“Për 3 vite arsimi u bë si tryeza e çakenjve, ku Edi Rama ndan copa me aleatët e tij, në një luftë që ka për synim të kapë sa më shumë vende pune dhe nuk ka aspak parasysh mësimdhënien”, ka deklaruar Boçi.

Ai është shprehur se, “kryeministrin e ka zënë amnezia dhe nuk e përmend, por shqiptarët e dinë se cila është e vërteta.

“Se simboli rilindas për arsimin është Luiza që nuk kërkonte vetëm mijëra euro për një vend pune, por edhe trafikonte mësuese për dëshirat e shefave në Tiranë”, ka thënë Boçi, duke shtuar se maturantët janë lënë rrugëve.

“Edhe sot, më shumë se gjysma e maturantëve me rezultate të mira dhe shumë të mira janë rrugëve, sepse Edi Rama ndryshoi rregullat, pasi ata kishin studiuar e derdhur mund për 3 vite me radhë. Investim që u bë hi me një të rënë të lapsit. Edi Rama vazhdon të fyejë nxënësit dhe prindërit e tyre duke i quajtur mbi 100 mijë prej tyre si analfabetë”, ka vijuar Boçi.

Në vijim të komunikimit me mediat, deputeti i opozitës ka nënvizuar se, PD mbështet çdo investim në arsim, por ka shtuar se, “në këto 3 vite nuk pati asnjë rritje page për arsimtarët, të cilët u kërcënuan me vendin e punës për të dhënë votën për Edi Ramën”, gjë që sipas tij e thotë edhe raporti i OSBE-ODIHR.

“Në këto tre vite nuk u ndërtua asnjë shkollë e re. Këto të vërteta për arsimin i dinë mësuesit, nxënësit dhe prindërit dhe nuk mbulohen dot nga llomotitje më shumë se 1 orëshe e Edi Ramës. Arsimi, mësimdhënia, mësuesit e nxënësit do të jenë më mirë pa Ramën”, ka përfunduar Boçi.

Top Channel