Gara për Kolonjën, PS kandidon me mjekun Ilia Stefo

17/10/2016 00:00

Ilia Stefo nuk është një figurë publike kombëtare, por në Kolonjë ai njihet prej të gjithëve për shkak të profesionit të mjekut. Me të njëjtin profesion socialistët përzgjodhën edhe kandidatin e Dibrës, por mesa duket kjo është rastësi.

“Nuk është se ne jemi të fiksuar pas mjekëve, por mendojmë se mjeku është një profesion i cili ose të bën më të mirë seç je ose të bën më të keq seç je”, thotë deputeti socialist, Pandeli Majko.

Vitet e fundit Ilia Stefo e ka ushtruar këtë profesion në Spitalin e Korçës, por socialistët e kanë zgjedhur si kandidatin që do të përfaqësojë koalicionin qeveritar në zgjedhjet e parakohshme të 20 nëntorit.

“Ka dhënë prova të një shërbimi modest dhe të përulur karshi qytetarëve si mjek dhe këtë shërbim do ta kalojë si menaxher dhe njeri në radhë të parë, i respektuar i qytetarëve të Kolonjës”, shton Majko.

Socialistët e zyrtarizuan kandidaturën e tyre një ditë pas prezantimit në Kolonjë të përfaqësuesit të opozitës, Dritan Hajro, vëllai i një ish-deputeti socialist të zonës, një fakt që zuri vend tërthorazi edhe në deklaratën e Pandeli Majkos, kur ai foli për mbështetjen e shtëpisë socialiste të Kolonjës për mjekun, Ilia Stefo. 

“Një shtëpi që asnjëherë nuk ka gabuar në përzgjedhjen e fitimtarëve dhe të atyre që ja kanë ditur dhe ja dinë për sot dhe nesër Partisë Socialiste”, shprehet deputeti socialist.

Top Channel