Kosovë, ambasadori Minxhozi: Mos i fryjmë zjarrit që nuk ekziston

17/10/2016 00:00

Kryeministri Rama nuk ka folur “për Kosovën” në Serbi, por “në interes të Kosovës”. Kështu është shprehur në një intervistë për të përditshmen “Zëri”, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

Ai u përgjigjet shqetësimeve të ngritura ditët e fundit në opinionin publik në Kosovë, rreth asaj që po etikohet si “paternalizëm” i  Shqipërisë ndaj Kosovës, apo deklaratave të kryeministrit Rama për raportet Kosovë-Serbi. Ambasadori Minxhozi thotë se nuk duhet t’i fryhet “një zjarri, i cili nuk ekziston”.

“Kosova ka institucionet e veta dhe marrëdhëniet me Shqipërinë janë intensifikuar. Por, kjo nuk do të thotë – shprehet Minxhozi në intervistë, – se Rama nuk mund të mos flasë për interesin e kosovës.

“Le të marrim çështjen e interkonjeksionit, për të cilën Rama foli në Serbi. Ky projekt po bllokohet nga Serbia dhe zyrtarë të Kosovës kanë kërkuar nga ne, që të ndërhyjmë për ta zgjidhur këtë problem”, shprehet ambasadori.

I pyetur se, a i shërben Kosovës forcimi i raporteve mes Shqipërisë dhe Serbisë, ai thotë se kjo i shërben Kosovës dhe rajonit. “Kosova ka bashkëpunim me Serbinë dhe askush nuk thotë pse bashkëpunojnë. Janë rreth 400 milionë euro, Serbia është partneri kryesor i Kosovës”, thotë më tej ai.

Ndër projektet aktuale mes Shqipërisë dhe Kosovës, ai përmenndi si shembullin më të mirë të bashkëpunimit, projektin për vendosjen e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit, ku çdo mall që ka për destinacion Kosovën të menaxhohet nga dogana përkatëse.

Top Channel