Durrës, probleme me sistemin GPS, anijet bllokohen në kalatë

17/10/2016 00:00

Si pasojë e mosfunksionimit të sistemit GPS, dhjetëra anije të flotës së peshkimit në Durrës janë bllokuar në kalatë nga policia kufitare paraditen e së hënës.

Situata ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të peshkatarëve dhe pronarëve të anijeve. Sipas tyre, të gjitha anijet e peshkimit e kanë të instaluar dhe aktivizuar pajisjen “blue box”, por ka probleme në përhapjen e sinjalit. Pajisja mundëson përmes transmetimit satelitor informacion mbi vendndodhjen e anijeve të peshkimit.

Problemi teknik i sistemit dhe moskoordinimi i mirë midis Qendrës ndërinstitucionale operacionale detare dhe policisë kufitare cënon aktivitetin e sektorit të peshkimit, duke krijuar probleme për të gjitha familjet që mbahen prej tij, si dhe furnizimin e tregut me peshk të freskët.

“Nuk ka një koordinim të mirë mes QNOD-së dhe policisë kufitare, që vendos bllokimin e daljes në det. Shumica e anijeve janë bllokuar, ndërsa koha është e bukur për të dalë në det. Ka një problem me sistemin, pasi anijet i kanë të hapura, por sinjali nuk transmetohet. Kjo, jo për fajin tonë”, thotë Nazmi Kokomani, peshkatar.

Aktualisht, teknikët e kompanisë së mirëmbajtjes së sistemit po verifikojnë në çdo anije peshkimi aparaturat dhe problemet e secilës prej tyre, për të bërë të mundur zhbllokimin e situatës për pjesën më të madhe të anijeve të peshkimit dhe daljen e tyre në det.

Top Channel